VIDEO – Parku Kombëtar Hotovë-Dangëlli, rigjenerohet jeta e egër

215

VIDEO -Parku Kombëtar Hotovë-Dangëlli, rigjenerohet jeta e egër

Parku Kombëtar "Bredhi i Hotovës – Dangëlli" është një thesar vlerash natyrore. Diversiteti i lartë biologjik , shumëllojshmëria e florës dhe e faunës e bën këtë park një perlë turistike në jugun e Shqipërisë.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 12 Shtator 2018

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës – Dangëlli” është një thesar vlerash natyrore. Diversiteti i lartë biologjik, shumëllojshmëria e florës dhe e faunës e bën këtë park një perlë turistike në jugun e Shqipërisë.

Kamerat kurth të montuara nga stafi i AdZM Gjirokastër, tregojnë praninë gjithnjë e më të madhe të jetës së egër në këtë park.

Bredhi i Hotovës është Park Kombëtar, ndodhet në jug të Shqipërisë, pak kilometra nga qyteti i Përmetit dhe mund të cilësohet si mushkëria natyrore e Shqipërisë Jugore.

Me një shtrirje prej 1200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga Bredhi Maqedonas, ky Park Kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza të këndshme në çdo stinë të vitit, si në dimër, ku ai është i mbuluar nga dëbora, por dhe në verë ku mund të shijosh freskinë e tij.

Pamja madhështore e parkut të shfaqet nga hyrja e luginës së Lumicës e deri afër majës së malit të Kokojkës.

Bredhi i Hotovës konsiderohet një nga reliket bimore mesdhetare më të rëndësishme në vend dhe është një nga parqet më të mëdhenj në Ballkan me Bredh Maqedonas.

Aty përveç bredhit gjen disa lloje panjash, shkozë të zezë, ilqe, dëllinjë të kuqe dhe të zezë, mjedër etj. Në lartësinë 800-1000 metra takohen livadhe e vende të sheshta të rrethuar nga drurë shekullorë të përmasave të mëdha. Parku formon një kurorë të gjelbërt gjigante me kontraste të dukshme nga njëra-tjetra.

Bota shtazore është e pasur. Nga gjitarët takohen ariu i murrmë, ujku, dhelpra, kunadhja, derri i egër, lepuri i egër, ketri etj. Por krenaria e këtij parku dhe përfaqësuesi tipik i tij është kaprolli, të cilin mund ta shohësh në livadhe dhe lëndina në thellësi të pyllit.

Bredhi i Hotovës është masivi pyjor më i mbrojtur në Shqipëri, duke i rezistuar deri më tani çdo dëmtimi apo shpyllëzimi nga njeriu.

Në vende të caktuara mund të ndeshesh me dhinë e egër. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.