Ura e Nivanit në Zagori, monumenti me histori të pasur dhe arkitekturë të veçantë

252

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ – E pozicionuar mbi lumin e Zagorisë, Ura e Nivanit është një monument me histori të pasur dhe arkitekturë të veçantë, e cila po del në pah falë ndërhyrjeve konsoliduese – restauruese të cilat po aplikohen në monument.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe mbeshtetet nga Ministria e Kulturës.

Ura e Nivanit përfaqëson një strukturë komplekse me 2 harqe guri dhe një hapësirë dritë rreth 20 m. Ura është e mbuluar me kalldrëm përkatësisht 28 m dhe 40 m të gjatë.
Kjo urë i dha jetë në fillim të shek. XIX komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit.

Karvanet që vinin nga Gjirokastra kalonin mbi urën e Nivanit ndaleshin më pas në Manastirin e Nivanit ndërtim i vitit 1777, vijonte në Nivan, Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet.

Sot, kjo urë përveç funksionit rajonal për kalimin e kafshëve dhe të njerëzve, është kthyer në objekt të vizitueshëm për historinë, kuriozitetin dhe arkitekturën e veçantë të saj./a.a/ a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.