“Stabat Mater” hap sezonin artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit

122

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ – “Stabat Mater” do të çelë sezonin artistik në skenën e “ArTurbinës”. Vepra më e famshme e kompozitorit Antonin Dvorzhak vjen premierë absolute për publikun kryeqytetas në mbrëmjen e së enjtes. E ftuar speciale është dirigjentja, Arlinda Majollari, që i bashkohet orkestrës, korit dhe solistëve të TKOB.

Kjo vepër risjell pas 25 vitesh pianisten dhe dirigjenten, Arlinda Majollari e cila e zhvillon jetën artistike në Paris. Ajo e veçon këtë vepër si një përpjekje për shpresë edhe pse vepra u shkrua kur Dvorzhaku kishte humbur tre fëmijët.

Drejtorja e Teatrit të Operas dhe Baletit, Zana Çela, gjatë një konference për shtyp premton për një sezon të larmishëm dhe të ngjeshur të institucionit që drejton, ku një vend të veçantë sipas saj, do të zërë baleti me dy premiera.

Çela, e cila pa edhe punimet që po bëhen për rikonstruksionin e Teatrit të Operas dhe Baletit, u shpreh optimiste për mbarimin e tyre brenda afatit.

Në premierën e parë të “Stabat Mater”, janë angazhuar edhe shumë artistë të rinj dhe kjo politikë do të vazhdojë edhe përgjatë sezonit, me qëllim evidentimin e emrave të së ardhmes, deklaroi Çela. /m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.