Shtyhet afati i granteve për zhvillimin dhe mbrojtjen e pyjeve

112

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ – Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën me dije se afati i dorëzimit të projektpropozimeve për grantet konkurruese “Masa për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Pyjeve”, mbështetur nga Banka Botërore dhe Qeveria Suedeze është shtyrë deri më datë 24 shtator 2018.

“Masa për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Pyjeve” është një masë e re, e cila po zbatohet sipas procedurave IPARD-Like, duke pasur si qëllim realizimin e investimeve, ngritjen e kapaciteteve të shoqatave të përdoruesve të pyjeve dhe kullotave dhe fermerëve të tjerë privatë, dhe rritjen e ndërgjegjësimit të tyre për mundësinë e thithjes së fondeve.

Të gjitha shoqatat e përdoruesve të pyjeve dhe kullotave, drejtues teknikë dhe aplikantë potencialë, të cilët kanë dorëzuar projektpropozimet teknike për miratim në bashkitë përkatëse dhe ende nuk kanë marrë aprovimin, kanë afat deri më datë 24 shtator 2018, për të paraqitur dosjet e tyre pranë zyrave qendrore të AZHBR-së.

Fondi për grantet konkurruese “Masa për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Pyjeve”, thirrja II, 2018 është 2.2 milionë euro, ku 70% e fondit do të shkojë në favor të aktiviteteve të pyllëzimit, për të qenë në koherencë me vizionin e qeverisë për të shtuar sipërfaqet e gjelbra, dhe 30% e fondit për aktivitete si: masat parandaluese ndaj fenomeneve të erozionit, lera uji për bagëtinë, etj.

Aplikantët që propozojnë aktivitete pyllëzimi do të kenë më shumë mundësi të shpallen fitues, sepse shihet si një aktivitet veçanërisht i nevojshëm dhe i rendit këta aplikantë në pozita më të favorshme. /e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.