Shehu: Në qarkun e Dibrës po përfundon procesi i ndarjes së librave falas

TIRANË, 12 shtator /ATSH – I. Vata/ – Prefekti i qarkut Dibër Nexhbedin Shehu u shpreh sot për ATSH-në se nga 3 shtatori në qarkun e Dibrës ka vazhduar fushata e ndarjes së librave falas.

Shehu theksoi se libra falas marrin jo vetëm nxënësit e klasë së parë deri në të katërt, por dhe të klasave 5-9 të cilët janë në skemën e ndihmës ekonomike.

“Sipas vendimit të qeverisë, librat falas i përfitojnë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e katërt, por dhe nxënësit e klasave 5-9, familjet e të cilëve janë në skemat e ndihmës ekonomike”, – tha Shehu.

Më tej Shehu shtoi se të gjitha shkollat kanë vazhduar shpërndarjen dhe fushata mbyllet të premten. “Interesimi i nxënësve dhe i familjarëve ka qenë i lartë. Krahas ndarjes së librave bashkitë kanë marrë masa më të mira për infrastrukturën shkollore. Po kështu edhe DAR ka bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor”, tha për ATSH-në prefekti Shehu. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.