Shalsi: Përmirësim ligjit, që t’i japim Tiranës një teatër të ri dhe dinjitoz

74

TIRANË, 12 shtator /ATSH – I. Vata/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi deklaroi sot se “do t’i japim Tiranës një teatër të ri me një godinë dinjitoze, ndërkohë do të përmirësojmë ligjin që t’i japim mundësi jo më një subjekti, por çdo subjekti që është i interesuar për ta zhvilluar këtë zonë urbane”.

Duke folur për debatin për Teatrin Kombëtar, Shalsi theksoi se “duam një teatër të ri dhe dinjitoz, apo do mbajmë këtë ekzistuesin? Ekzistuesi, është një godinë që nuk përfaqëson ndonjë vlerë nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore dhe ne kemi marrë vendimin që po, duam t’i japim Tiranës një teatër të ri, dinjitoz dhe modern”.

“Cilat ishin alternativat? Do ta ndërtojmë me paratë e buxhetit? Jo, nuk e bëjmë dot dhe morëm në shqyrtim një qasje, duke marrë parasysh bashkëpunimin me biznesin privat. Sot që flasim, po kristalizojmë ligjin”, – sqaroi Shalsi.

Përsa i përket dekretit, Shalsi tha se “ka gjëra që nuk biem dakord, pasi thuhet se shkelet Konventa Ndërkombëtare e Trashëgimisë, apo momente të tjera për të cilën ne nuk biem dakord. Por, një pikë ku ne do të ndërhyjmë ta përmirësojmë, mendojmë që të mos jetë tashmë një subjekt, por të kemi një ftesë, apo thirrje të hapur për çdo subjekt të interesuar për ta zhvilluar si projekt”.

Duke iu përgjigjur pyetjes se si mund të bëhet kjo derisa kompania “Fusha”, ka një hapësirë toke aty, Shalsi u shpreh se kjo mbetet për t’u parë.

“Ajo që ne po gjykojmë për ta përmirësuar ligjin është fakti që ne t’i japim të drejtë çdo subjekti për të zhvilluar nga pikëpamja urbanistike të gjithë atë pjesë dhe të mos pengojmë asnjë për të dhënë një ide”, – tha ai.

Përsa i përket miratimit të ligjit me procedurë të përshpejtuar, Shalsi shtoi se “çfarë nuk u tha. Godina ka një vlerë të veçantë. Opozita ka qenë në pushtet 8 vjet, ka qenë në bashki dhe pse nuk e klasifikoi si godinë të kategorisë së veçantë. U tha fillimisht, që nuk janë dakord, ndërkohë rezultoi se artistët pranuan të ndërtojmë një godinë të re. Gjithsesi ajo që ne po bëjmë është se po reflektojmë dhe nëse ka një argument që duhet të marrim në konsideratë është ky; të mos kemi një subjekt, por një ftesë për të marrë pjesë me një projekt për zhvillimin e kësaj zone urbane”./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.