SARAJEVË – SHBA fut në listën e zezë për korrupsion një zyrtar të lartë

SARAJEVË, 12 shtator /ATSH-ANSA/ – Administata amerikane ka futur në listën e zezë Nikola Spiriç, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik.

Spiriç, deputet në Parlamentin e Bosnjës, dyshohet i përfshirë në korrupsion, njofton media boshnjake duke cituar burime pranë  Departamentit amerikan të Shtetit.

Hyrja për në SHBA i është ndaluar edhe bashkëshortes së tij, Nada, vajzës Jovana dhe djalit Aleksandar.

Vitin e kaluar SHBA aplikuan këtë vendim edhe për presidentin e RS, i cili është një person që përfaqëson një kërcënim për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

Diplomatët amerikanë me mision në Sarajevë refuzojnë prej shumë vitesh çdo komunikim me Dodik, i cili, së bashku me Spiriç, i përcaktojnë sanksionet si një veprim të dëshpëruar të ambasadores amerikane në Sarajevë, Maureen Cormack, së cilës së shpejti i mbaron mandati.

SHBA nuk ka specifikuar rastet e korrupsionit, por shtypi pohon se Spiriç ka lobuar për pesë parti duke filluar karrierën politike në  vitin 1993 në mesin e radikalëve të Vojislav Shesheljit dhe që, që nga ajo kohë, ka rritur shumë të ardhurat e tij personale./  /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.