Rehabilitimi i aksit Shkodër-Muriqan lehtëson trafikun

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Kanë nisur punimet për rehabilitimin e plotë të 12 kilometrave rrugë në aksin Shkodër-Muriqan, një investim me vlerë 1.48 milionë euro, në kuadër të programit të përbashkët të qeverisë me Bankën Botërore, për mirëmbajtjen me performancë të rrugëve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bashkë me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe drejtorin e Autoritetit Rrugor, Afrim Qendro inspektuan kantierin e hapur në fillim të kësaj jave në aksin rrugor Shkodër-Muriqan.

Ministri Gjiknuri tha se fokusi i përmirësimit të infrastrukturës është në dy fronte, së pari, tek ndërtimi i rrugëve të reja dhe përfundimi i atyre të zvarritura prej vitesh dhe së dyti, tek mirëmbajtja.

Ndërkaq, ministri Bushati në cilësinë edhe të drejtuesit politik të Qarkut Shkodër, u shpreh se ky projekt është pjesë e buxhetit që qeveria ka përcaktuar për bashkinë dhe Qarkun Shkodër në tërësi.

“Muriqani është një pikë që gjatë sezonit të verës ka goxha fluks dhe ka goxha trafik. Shpresojmë që me këtë ndërhyrje të lehtësohet një pjesë e trafikut. Investimet nuk kanë të majtë apo të djathtë por janë investime për qytetarët”, tha ai.

Ndërsa drejtori i ARRSH-së Afrim Qendro tha se “ndërhyrja parashikon prishjen e shtresave ekzistuese asfaltike, zëvendësimin e nënshtresave në çakëll dhe stabilizant, realizimin e të gjitha shtresave të reja asfaltike në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore e masave të sigurisë si guardrails, vizim termoplastik, sinjalistikë vertikale/horizontale dhe ndërtim të sistemit të drenazhit”.

Aktualisht, në drejtorinë verilindore të Autoritetit Rrugor është duke u ndërhyrë edhe në segmentet Melgushë-Mjedë 7 kilometra, Ura e Kirit-Mjedë me gjatësi 17.2 kilometra dhe Lezhë–Shëngjin (Knalle). Vlera totale e investimit në këto akse shkon në 3.56 milionë euro ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë rehabilitimi edhe në aksin Qafëçelë – Fushë-Arrëz me investim 9 milionë euro.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.