Rehabilitim i konvikteve të Universitetit të Tiranës

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ – Programi i rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të eficiencës së energjisë, faza II u miratua sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Dorina Çinari u shpreh në komision se faza e dytë e kësaj marrëveshjeje ka për qëllim aplikimin e masave të eficiencës së energjisë në godinat e konvikteve të Universitetit të Tiranës duke synuar: auditimin energjetik të ndërtesave për të identifikuar konsumin e energjisë dhe masat përkatëse që duhen për të reduktuar konsumin e energjisë; identifikimin e nevojave të rinovimit të ndërtesave në lidhje me gjendjen aktuale të tyre me qëllim për të zgjatur ciklin e jetës së ndërtesave; identifikimin e masave të ndryshme të eficiencës së energjisë që mund të aplikohet, si edhe llogaritjen e kursimit të energjisë në secilën prej godinave, me qëllim përcaktimin e kritereve dhe masave të eficiencës së energjisë me një kosto të lartë përfitimi; reduktimin e konsumit të përgjithshëm të energjisë së ndërtesave duke synuar që treguesi i performancës së energjisë të jetë të paktën 75 kwh/m2 në vit dhe të sigurojë përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve; llogaritjen e reduktimit të karbonit si rezultat i masave dhe vendosjes në kushte të performancës së lartë dhe standardeve të Bashkimit Europian. Granti i qeverisë gjermane për këtë projekt është 2 milionë e 32 mijë euro.

Relatori i projektligjit, deputeti Adnor Shameti, duke shprehur dakordësinë e tij me projektligjin, kërkoi mbështetjen me votë të projektligjit në formën e paraqitur në komision.

Komisioni e miratoi në parim, në tërësi dhe nen për nen projektligjin.

Po ashtu Komisioni miratoi pr/ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për projektin “Këshillimi për migracionin në Shqipëri”.

Në shqyrtimin e këtij projektligji e pranishme në komision ishte Dajna Sorensen, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë.

Sorensen, theksoi se bashkëpunimi i planifikuar në marrëveshje do të fokusohet në fushat e këshillimit për migracionin dhe, më konkretisht, në këshillimin dhe informimin e grupeve të caktuara mbi mundësitë e migracionit të ligjshëm të punës dhe perspektivat e arsimimit dhe të punësimit në Shqipëri; përditësimin dhe ofrimin e materialeve informative rreth migracionit të punës, mundësitë për hyrje në tregun gjerman të punës dhe trajnimet përkatëse për personelin e sporteleve të migracionit; ngritjen e kapaciteteve të sporteleve ekzistuese të migracionit të SHKP-së lidhur me informimin mbi rrugët ligjore të migracionit të punës; përmirësimin e bazës të të dhënave për aktorët në terren dhe situatën e grupeve të synuara si dhe krijimin e një rrjeti me aktorët përkatës në fushën e arsimit dhe punësimit. Siç bëri me dije Sorensen për komisionin, granti është në vlerën 1.5 milionë euro dhe synon sigurimin e ekspertëve, furnizimin me materiale dhe pajisje, kostot operative dhe administrative si edhe kontribute të tjera.

Relatori, deputeti Edmond Leka, shprehu dakordësinë e tij me projektligjin.

Në përfundim të diskutimeve komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.