Presidenti Meta priti kryetarin e bashkisë së Budapestit, István Tarlós

69

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim të veçantë, kryetarin e bashkisë së Budapestit, István Tarlós, ku vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera historike e tradicionale midis dy vendeve.

Gjatë takimit, Presidenti Meta, nënvizoi bashkëpunimin shumë të mirë e të frytshëm që ekziston midis bashkive të të dy kryeqyteteve, veçanërisht në fushën e menaxhimit të ujërave, si dhe në aplikimin e energjisë së rinovueshme dhe përdorimin e mjeteve të transportit publik.

Presidenti shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen dhe lejen që bashkia e Budapestit ka dhënë për vendosjen e një shtatoreje të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në një nga parqet qendrore të kryeqytetit të Hungarisë, krahas heroit kombëtar të Hungarisë, Janosh Huniadit.

“Dy popujt tanë e kujtojnë me respekt e krenari legjitime bashkëpunimin dhe kontributin që Skënderbeu dhe Huniadi, kanë dhënë për Europën”, – u shpreh Presidenti Meta. /m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.