Premtimi i mbajtur, familjes Ahmeti në Vlorë i lidhet energjia elektrike

263

MIRËMËNGJES dhe me dritëzën e sapondezur të shpresës në familjen e Niko Ahmetit, ju uroj një ditë të mbarë 🙂#EgjithëVëmendjapërNjerëzit

Posted by Edi Rama on E martë, 11 Shtator 2018

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Nga vizita e 5 shtatorit e Kryeministrit Edi Rama në familjen e Niko Ahmetit në fshatin Vajzë në Vlorë, disa gjëra kanë ndryshuar.

Premtimi i parë i Kryeministrit Edi Rama, që familjes në vështirësi t’i rikthehet energjia elektrike, është mbajtur. Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe drejtori i OSHEE-së, Ardian Çela vizituan familjen për të dhënë lajmin e mirë dhe jo vetëm për energjinë, por edhe librat falas për vajzat dhe një kurs profesional për djalin e madh të familjes.

Kryeministri Edi Rama postoi videon e kësaj vizite në familjen Ahmeti duke uruar qytetarët për një ditë të mbarë. “Mirëmëngjes dhe me dritëzën e sapondezur të shpresës në familjen e Niko Ahmetit, ju uroj një ditë të mbarë“, thotë Kryeministri.

Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu ndërsa hyn në shtëpinë e familjes Ahmeti, tashmë të pajisur me energji elektrike dhe televizor, thotë se ky është vetëm hapi i parë.

“Kjo ishte pjesa e parë e premtimit të Kryeministrit. Pjesa e dytë e premtimit në këtë fazë të parë është që ne do të punësojmë njërin nga djemtë e familjes”, – shton drejtori Çela.

Djali fillimisht do të ndjekë një kurs profesional për t’u aftësuar për punën e re.

Dy vajzat duhet të shkojnë në shkollë, familja do të ndihmohet duke qenë pjesë e programit të mbrojtjes sociale. “E para është bonusi që japim për fëmijët për mosbraktisje të shkollës. Për vajzat kemi sjellë edhe librat, me çanta e me gjithçka që duhet”, – thotë ministrja Manastirliu. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.