PD kujton Azem Hajdarin në 20-vjetorin e vrasjes

TIRANË, 12 shtator /ATSH – I. Vata/ – Partia Demokratike kujtoi sot 20-vjetorin e vrasjes së Dëshmorit të Kombit, Azem Hajdari me simpozium dhe ekspozitë përkujtimore.

Në simpozium, merrnin pjesë Presidenti Ilir Meta, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të komuniteteve fetare, ish-themelues të PD-së, deputetë dhe të afërm të Azem Hajdarit, aktivitet i cili nisi me një minutë heshtje.

Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, vajza e ish-liderit të Dhjetorit, Azem Hajdarit, tha se “Azemi duhet të jetë një qiri që të ndrisë rrugën për liri”.

Meta: Falë guximit të Azem Hajdarit, lëvizja studentore u shndërrua në një uragan për rrëzimin e diktaturës

Në fjalën e tij, Presidenti Ilir Meta u shpreh se aktiviteti i Azem Hajdarit në politikë ishte i shkurtër, por veprimtaria e tij politike ishte epokale.

“Ai ngjan me Xhordano Bruno. Azemi mori përsipër të vrasë frikën. Ka qenë një fat i madh që në atë moment, vendit i duhej një lider i guximshëm, ku falë guximit të tij, lëvizja studentore u shndërrua në një uragan të fuqishëm për rrëzimin e diktaturës. Dua të vlerësoj në mënyrë të veçantë angazhimin e Azem Hajdarit për çështjen e Kosovës. Aktiviteti i tij ka qenë i jashtëzakonshëm jo vetëm për Kosovën, por dhe çështjen shqiptare në tërësi”, – tha ai.

Më tej, Meta shtoi se “figura e tij, nuk ishte e rastësishme. Azemi ishte njeri i lirë dhe ishte në genin e tij demokrat, dhe këtë e tregoi jo vetëm në fillimin e demokracisë, por edhe më pas”.

Po ashtu, Meta shtoi se demokracia kërkon guxim për t’u fituar, por kërkon dhe guxim për t’u mbrojtur. “Populli ynë ka vuajtur shumë nga padrejtësia dhe kjo figurë shërben si shembull për të rinjtë që të luftojnë për demokraci”, – shtoi ai.

Ish-lideri historik i PD-së, Sali Berisha tha se “Azem Hajdari është një nga figurat më të jashtëzakonshme shqiptare, por për ne që patëm fatin ta njohim, kjo nuk është një ditë përkujtimore, por nëse ka një njeri që është i gjallë edhe pas vdekjes, unë them se është Azem Hajdari”.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.