Parlamenti Europian nesër voton rreth liberalizimit të vizave për Kosovën

273

BRUKSEL, 12 shtator /ATSH/ Parlamenti Europian pritet që nesër të votojë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kështu bëhet e ditur nga Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Europian përmes një njoftimi për media.

Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Bisedimet në emër të Parlamentit Europian do t’i udhëheqë Tanja Fajon, raportuese për vizat e Parlamentit.

Votimi në Parlamentin Europian ishte paraparë për muajt e ardhshëm, por sipas njoftimit të komitetit LIBE “disa grupe parlamentare në Parlament kanë kërkuar që votimi të ndodhë në sesionin e shtatorit”.

Për liberalizimin e vizave është e domosdoshme që pajtimin ta japin edhe dy institucione kyçe të BE-së: Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.

Të enjten kur raportuesja për vizat e merr mandatin për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Europian, procesi kalon në nivelin e grupeve punuese. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.