Librat falas – Mesi: Investim 6 milionë USD nga ana e shtetit

100

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ – Programi i qeverisë për të mbështetur me libra falas të gjithë nxënësit e klasave I – IV, është një investim prej 6 milionë USD nga ana e shtetit.

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi ishte sot në qytetin e Shkodrës, ku mori pjesë në procesin e shpëndarjes së librave falas në shkollën 9-vjeçare, “Dëshmorët e Prishtinës”.

Mesi tha se, “librat falas për 195 mijë fëmijë në të gjithë vendin, janë para të kursyera tanimë për familjet”.

Ajo u shpreh se Shqipëria është vendi i parë në rajon që shpërdan libra falas për të gjithë fëmijët pa përjashtim dhe se deri në fund të mandatit, qeveria ka për objektiv përfitimin e librave falas, deri në klasën e nëntë.

Mesi është takuar me nxënës, prindër dhe drejtues të shkollave 9-vjeçare, me të cilët ka biseduar mbi mbarëvajtjen e vitit të ri akademik, ndërsa është ndaluar veçanërisht në dy familje, ku personalisht ka dhuruar librat për fëmijët.

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Mesi ka vënë theksin edhe tek fëmijët me aftësi të kufizuara, për të cilët janë emëruar 700 mësues të posaçëm. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.