Libra falas, nxënësit e kategorive të veçanta me tekste deri në klasën e 12

TIRANË, 12 shtator /ATSH – I. Vata/ – “Janë shpërndarë tekste pothuajse në të gjithë vendin për klasat e 1-4 dhe po vazhdon procesi i shpërndarjes së librave dhe për kategori përfituese, por ky vit është risi përsa i përket reformës në fushën e teksteve për arsimin parauniversitar”, – deklaroi sot Drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, Zamira Gjini.

Më tej, Gjini thekson se “me 17 shtator fillon viti i ri shkollor, 2018-2019, ku 500 mijë nxënës i drejtohen bankave të shkollës dhe ky vit i ri shkollor ka një gjë të re, ka risi, një reformë në fushën e teksteve, pasi në arsimin parauniversitar në fushën e teksteve kemi një kurrikul të re, një kurrikul që mbështetet në kompetenca, që shoqërohet me tekste të reja dhe nxënësit nga klasa e 1-4 do marrin tekste falas”.

Kategori të tjera nxënësish marrin tekste falas deri në klasën 12

“Edhe nxënës që u takojnë disa kategorive të veçanta i marrin tekste falas, nxënës që shtrihen deri në klasën e 12. Janë politika sociale, janë të ardhura në buxhetin e familjeve. Por sigurisht, këto tekste do jenë në përdorim, tekstet në fund të vitit do rikthehen nga fëmijët. Nuk është puna që falen apo kthehen, por është një proces i shumanshëm, sepse ka vlera edukative lidhur me librin që fëmijët të duan librin dhe të ruajnë atë, të mësohen të dhurojnë atë. Po ashtu, ka vlera përsa i përket aspektit mjedisor, sepse do të duhen lekë për të prodhuar libra, do duhen pemë e të tjera. Pra, ka vlera edukative të fëmijët”, – tha Gjini.

Drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, shtoi se nxënësit kanë librin, fletën e punës dhe fletoret e pavarura. “Sigurisht që libri duhet të bëjë rrethim me laps, por duhet të tregohet nga mësuesit e tyre që në fund duhet fshirë. Në fakt, ka filluar procesi i shpërndarjes dhe pothuajse në të gjitha qytetet tekstet falas për klasën e parë dhe të katër janë shpërndarë dhe po shpërndahen dhe për kategoritë e veçanta siç janë romët, egjiptianët, fëmijët me aftësi të veçanta dhe disa kategori që janë përcaktuar nga Ministria e Arsimit”, – tha Gjini.

Po ashtu, Gjini tha se “Ministria e Arsimit bën inspektime për procesin e shpërndarjes së teksteve shkollore dhe kemi parë që procesi po shkon shumë mirë. Janë pikat e shpërndarjes pranë shkollave dhe tekstet falas që janë shpërndarë në shkolla, apo ka pasur raste që mësuesit i kanë çuar dhe në shtëpi të fëmijëve. Këtë vit ka patur një promovim të këtij procesi për ta bërë këtë proces sa më të ngrohtë dhe aktiv për fëmijët”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.