Kosovë-Gjermani, marrëveshje që rregullon bashkëpunimin teknik

168

PRISHTINE, 12 shtator /ATSH/ – Qeveria e Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Gjermanisë, përfaqësuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshjen kornizë, e cila rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar në mes të dy qeverive.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se ndonëse kanë nënshkruar shumë marrëveshje me shtetin gjerman, këtë marrëveshje e ka quajtur si më të rëndësishmen.

“Kjo është marrëveshja më e rëndësishme, pasi që përmes saj krijohet baza e marrëveshjes për të gjitha aspektet teknike dhe financiare. Deri  tani shteti gjerman është ndër donatorët më të mëdhenj në Kosovë, investimet janë mbi 600 milionë euro. Këto janë investuar në sektorin e energjisë, ujit të pijshëm, shëndetësisë”, – tha ai.

Edhe ambasadori gjerman Christian Heldt, e ka quajtur shumë të rëndësishme arritjen e kësaj marrëveshje.

“Për dy institucionet tona kjo marrëveshje është kryesore që do të mundësojë bashkëpunimin tonë dhe është tregues se sa larg e kemi dërguar bashkëpunimin tonë. Negociatat për këtë marrëveshje janë zhvilluar sot e 7 vite. Për ne institucionet gjermane janë shumë të rëndësishme të kemi seriozitet në bashkëpunim. Ne do të mund ta quajmë këtë marrëveshje që ne bëjmë punë dhe flasim pak”, – tha ai.

Shteti gjerman është një prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.