FOTO/ Sezoni veror, 239 lundrime nga tragetet e linjave

TIRANE, 12 shtator /ATSH/ – Gjatë stinës së verës së këtij viti, numri i udhëtarëve dhe autoveturave që kanë shfrytëzuar tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim, ka mbetur thuajse në të njëjtat shifra me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga burimet e Sektorit të Statistikave në Autoritetin Portual Durrës (APD), mësohet se në muajt korrik-gusht kanë lundruar me tragete në hyrje dhe dalje nga porti i Durrësit 384,438 udhëtarë, ose rreth 4500 udhëtarë më pak sesa në periudhën korrik-gusht 2018.

Ndërkaq, numri i autoveturave në dy muaj ka arritur në 89,906 njësi, ose afro 900 autovetura më shumë se sa gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2017.

Tragetet e linjave nga Durrësi kanë realizuar gjatë muajve të verës 239 lundrime gjithsej, ose 7 lundrime më shumë sesa në muajt korrik-gusht të vitit të kaluar.

Numri i udhëtarëve me tragete gjatë sezonit veror rritet ndjeshëm për shkak të bashkëatdhetarëve që kthehen për pushime, si dhe të turistëve që vizitojnë vendin tonë. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.