Fluturimet charter, rreth 80 mijë pasagjerë në muajin korrik

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ – Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me charter për dhe nga aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë, ka shënuar rritje gjatë vitit 2018.

Autoriteti i Aviacionit Civil në buletinin mujor për muajin shtator me statistika për aviacionin shqiptar e ndërkombëtar bën të ditur se “në korrik të 2018 shifra shkon në 79,311 pasagjerë, shifër më e lartë krahasuar me vitin 2017, që ka pasur një rritje prej 65.80% dhe nga viti 2016 në vitin 2017 ku ka shënuar një rritje prej 42.25% të fluksit të pasagjerëve”.

Sipas të dhënave, vihet re se numri i pasagjerëve që fluturojnë me charter ka pësuar një rritje nga viti në vit ndaj totalit të pasagjerëve.

“Por në vitin 2018 është më e dukshme rritja pasi ato përbëjnë 23% të totalit, ndërkohë që në 2017 ka qenë 16% dhe në 2016 në 15%. Gjithashtu nëse do të bënim një analizë më të thellë dhe në qoftë se do të krahasojmë numrin e pasagjerëve që kanë hyrë dhe atyre që kanë dalë me anë të fluturimeve charter në/nga TIA, numri i pasagjerëve në hyrje është më i lartë, përkatësisht 40,721 pasagjerë, ndërsa numri i pasagjerëve në dalje është 38,590 pasagjerë”, thuhet në buletin.

Referuar të dhënave, mbizotëruese në treg për këtë muaj janë fluturimet charter, të cilat zotërojnë 23% duke mbuluar kështu fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Korrik 2018, me një numër prej 79,311 pasagjerë.

“Ndjekur nga “Blue Panorama” me një numër prej 59,175 pasagjerë ose 17% ndaj totalit, “Albawings” me 36,363 pasagjerë ose 11% të totalit, “Ernest s.p.a” me 32,257 pasagjerë dhe 9% ndaj totalit dhe “Alitalia” 27,726 pasagjerë ose 8% të totalit mujor”, sqaron buletini.

Nisur nga këto të dhëna duke përjashtuar fluturimet charter, Italia vazhdon të zotërojë përqindjen më të madhe të tregut të transportit ajror për muajin korrik 2018, duke zënë 45% të totalit, ndjekur nga Turqia me 9%.

“Nëse referuar shifrave do të analizonim ecurinë e tregut të transportit ajror në vendin tonë për muajin korrik të viteve 2016- 2017-2018, vëmë re se kemi një tendencë në rritje të tregut të pasagjerëve që udhëtojnë nëpërmjet ajrit, vit pas viti”, theksohet në buletin. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.