Elbasan/ Forcat zjarrfikëse neutralizojnë zjarrin në lagjen “Dyli Haxhire”

86

TIRANË, 12 shtator /ATSH – Edison Caushi/ – Zjarri i përmasave të mëdha, i cili ka rënë pasditen e sotme në lagjen “Dyli Haxhire” në Elbasan është neutralizuar nga forcat zjarrfikëse.

Prefekti i qarkut të Elbasanit, Maksim Malaj bën me dije për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se pas konstatimit të zjarrit, në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse, të cilat me anë të pompave të shpinës së ujit, kanë shuar vatrat e zjarrit.

“Zjarri u izolua, nuk është më një rrezik. Në vendngjarje ndodhen 2 zjarrfikëse dhe 15 forca të cilët po punojnë me pompa uji për shuarjen e flakëve, pasi zjarri ka rënë në një zonë të largët ku zjarrfikësja e ka të pamundur të shkojë. Zjarri është izoluar, por forcat zjarrfikëse janë në gatishmëri për shkak se pema e ullirit e ruan shpuzën e zjarrit, në mënyrë që të mos ketë vatra të tjera zjarri. Gjithashtu në vendngjarja kanë shkuar forcat e bashkisë si dhe Policia për të zbardhur ngjarjen, pasi në këtë zonë është hera e dytë që bie zjarr, duke dyshuar se ky mund të jetë i qëllimshëm. I kam kërkuar autoriteteve të Policisë që të shtojë forcat për zbardhjen e ngjarjes”, – theksoi prefekti Malaj për ATSH-në.

Autoritetet janë duke hetuar për të parë nëse zjarrvënia ka qenë e qëllimshme, ndërsa nga ky zjarr nuk ka pasur viktima në njerëz dhe as dëme materiale.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.