BERLIN – Merkel nuk përjashton pjesëmarrjen gjermane në sulmet në Siri

BERLIN, 12 shtator /ATSH–DPA/ – Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk e ka përjashtuar faktin e pjesëmarrjes gjermane në sulmet ushtarake në Siri, nëse ndodh një tjetër sulm me armë kimike kundër popullsisë civile.

Pjesëmarrja e forcave gjermane në sulmet ushtarake është bërë objekt debati në Gjermani, ku socialdemokratët (SPD) – një parti anëtare e koalicioni të Merkelit që udhëhiqet nga konservatorët – kanë kundërshtuar ashpër përfshirjen e Gjermanisë, përveç mbështetjes ndaj koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik në Siri.

“Të thuash se ne do shohim punën tonë kur përdoren armët kimike  dhe shkelet një konventë ndërkombëtare nuk është përgjigje”, tha Merkel në fjalën e saj përpara Bundestagut.

“Të thuash ‘jo’ paraprakisht, pa marrë parasysh se çfarë po ndodh në botë – ky nuk mund të jetë qëndrimi gjerman”, tha Merkel.

Një lajm i publikuar të hënën se Ministria gjermane e Mbrojtjes po shqyrton nëse do të marrë pjesë në sulmet e ardhshme kundër qeverisë siriane ka nxitur një debat në Gjermani nëse një përfshirje e tillë është në përputhje me kushtetutën.

Në fillim të këtij viti, Gjermania nuk u përfshi në sulmet kundër objektivave të qeverisë siriane nga forcat amerikane, britanike dhe franceze si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me armë kimike në Douma./ /sm/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.