Basha-Veseli: Unitet dhe bashkim i faktorit politik shqiptar

100

TIRANË, 12 shtator /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike Luzim Basha pas takimit me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, doli në një deklaratë për mediet ku theksoi se tre kushte bazë: parimin e integritetit territorial, pacënueshmërinë e kufijve, parimin e formës unitare të qeverisjes dhe natyrisht përcaktimin e qartë të Kosovës për të ardhmen e saj si anëtare e NATO-së dhe anëtare e BE-së.

Në fjalën e tij, Basha tha se me Veselin patëm një bisedë të hapur, të frytshme, një frymë vëllazërore bashkëpunimi që karakterizon Partinë Demokratike me Institucionet e Kosovës dhe partitë politike të Kosovës.

“Theksi është te uniteti dhe bashkimi i faktorit politik shqiptar, te qëndrimi i përbashkët i të gjitha forcave politike në Kosovë dhe në Tiranë për t’i shërbyer interesit kombëtar, duke qëndruar fuqishëm për parimin mbi të cilat u ngrit pavarësia e Kosovës; parimin e integritetit territorial, pacënueshmërisë së kufijve, parimin e formës unitare të qeverisjes dhe natyrisht përcaktimin e qartë të Kosovës për të ardhmen e saj si anëtare e NATO-s dhe anëtare e BE-së, rrugë e cila sikurse për vendet e tjera kalon nëpërmjet reformave, fuqizimit të demokracisë, shtetit ligjor, ekonomisë së tregut”, – tha Basha.

Më tej, Basha shtoi se Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në funksion të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, në funksion të njohjes reciproke, gur themeli për integrimin europian të të dy vendeve për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ne besojmë fuqishëm se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës, mund të bazohet vetëm në realitetin e njohur nga të gjithë dhe jo te rikthimi i çështjeve që janë mbyllur prej dekadash, me sakrifica njerëzore, humbje jetësh, shpenzimin e miliarda dollarëve dhe qindra bij të Perëndimit me dhe pa uniformë për të siguruar paqen, që u çimentua me pavarësinë e Kosovës”, – tha ai.

Basha tha se PD do të mbështes fuqimisht çdo përpjeke të partive politike të Kosovës që të jenë sa më të bashkuara për t’i shërbyer këtyre objektivave të qarta, që pata kënaqësinë të bashkëndajmë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, integritetin territorial, formën unitare të qeverisjes dhe orientimin europian të Kosovës.

Ndërsa nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se sot patëm takim me përfaqësuar të lartë të shtetit shqiptar, nga pozita dhe opozita.

“Ajo çfarë i duhet Kosovës më së shumti është konsensusi nacional, ky është mesazhi i përbashkët që kemi biseduar me të gjitha takimet që kemi patur dhe me kryetarin e PD-së Basha”, – tha Veseli.

Më tej, Veseli tha se “qëndrimet janë të qarta, ne duhet të punojmë bashkërisht. Ne kemi përkrahje nga partnerët tanë të Shqipërisë. Partia Demokratike mbështet pavarësinë e Kosovës. Ne do të vazhdojmë marrëdhëniet e bashkëpunimit. E ardhmja jonë është një Ballkan i integruar, ku Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia të jetojmë në paqe pa ndërhyrë në punët e brendshme të njëra-tjetrës”.

”Kosova është e pavarur, ka territorin e vet dhe angazhohet si shtet i pavarur dhe sovran për të drejtat e shqiptarëve ku janë në botë, përfshirë dhe shqiptarët e Preshevës dhe viset e tjera ku ata jetojnë”, – tha Veseli. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.