Basha: Ëndrra e Azemit “Shqipëria si gjithë Europa”, do na udhëheqë drejt fitores

TIRANË, 12 shtator /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përfaqësues të politikës, trupit diplomatik dhe demokratë, zhvilluan sot në mesditë homazhe te Memoriali i Dëshmorit të Kombit, Azem Hajdari dhe truprojës së tij, Besim Çera.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se sot është dita të pastrojmë politikën nga krimi.

“Sot, ne kujtojmë Azem Hajdarin dhe mikun e tij të pandarë Besni Çeren në këtë 20-vjetor, i cili na mori njeriun, por na dha legjendën dhe tribunin e demokracisë, të pavdekshmin Azem Hajdari”, – tha Basha.

Më tej, Basha tha se “e kujtojmë sot Azemin si njeri, si prind, si bashkëshort, si shok, mik, qytetar. E kujtojmë sot Azemin si lider, si simbol të kurajos për liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore”.

“Sot, më shumë se kurrë, jeta e Azemit duhet të na frymëzojë dhe nxisë. Azemi, tregoi se para së keqes, robërisë, para dhunës nuk duhet heshtur, por duhet luftuar. Sot, Azemi na bënë të reflektojmë për të keqen që i vjen shoqërisë dhe Kombit kur krimi dhe qeveria bëhen një, kur bandat nënshtrojnë politikën dhe qytetarët”, – tha ai.

Po ashtu, Basha shtoi se “pushteti i lidhur me krimin është pengesa për ëndrrën e Azem Hajdarit, për “Shqipërinë si gjithë Europa”. Ndaj sot është dita më domethënëse që së bashku nga ky shesh, të shprehim vendosmërinë tonë për hir të gjithë shqiptarëve dhe në nder të Azem Hajdarit, se ne nuk do t’i nënshtrohemi së keqes, nuk do t’i nënshtrohemi as dhunës së shtetit, as dhunës së krimit dhe të zotohemi sot para Azem Hajdarit, se do ta pastrojmë politikën nga krimi, për t’i hapur Shqipërisë rrugën e bllokuar të Europës prej pesë vitesh”.

“Azem, ti je gjallë! Endrra jote, si gjithë Europa na udhëheq në rrugën e fitores së të mirës ndaj të keqes”, – tha në fund kryetari i PD-së Basha. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.