Shkodër, promovohet libri për kryengritjen anti-komuniste të Postribës

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Botimi i Bashkisë së Shkodrës “Kryengritja e Postribës – Konferencë Shkencore Kombëtare” është promovuar në mjediset e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”.

Ky libër është i pari që i kushtohet tërësisht Kryengritjes Antikomuniste të Postribës, duke qenë kështu gur themeli i rëndësishëm në nxjerrjen në dritën e plotë të së vërtetës, që studiuesit thonë se është manipuluar në kohën e regjimit komunist.

Oratorë dhe studiues që folën në takimin promovues vunë theksin në nevojën e botimeve të tilla, me dëshmi autentike të dëshmitarëve okularë dhe familjarëve të tyre, duke anashkaluar dokumentet arkivore të prodhuara nga sistemi diktatorial.

Nisma e bashkisë së Shkodrës për botimin e kumtesave të Konferencës Shkencore Kombëtare të organizuar për Kryengritjen e Postribës një vit më parë, është mirëpritur nga auditori i përbërë nga përfaqësues të familjeve të ish-të persekutuarve politikë të Shkodrës, M. Madhe dhe më gjerë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.