SHBA – Dublini: Shtyhet vizita e Trump në Irlandë

UASHINGTON, 11 shtator /ATSH-AFP/ – Vizita e parë e presidentit amerikan, Donald Trump në Irlandë që prej emërimit në krye të Shtëpisë së Bardhë, planifikuar rreth datës 10 dhe 11 nëntor, është shtyrë, njoftoi sot Dublini, Shtëpia e Bardhë konfirmoi nga ana e saj se udhëtimi ishte në pikëpyetje.

Sarah Sanders, zëdhënësja e ekzekutivit amerikan u shpreh në një komunikatë për shtyp se Trump do të jetë gjithsesi i pranishëm siç ishte parashikuar në Francë më 11 nëntor për njëqind vjetorin e armëpushimit të Luftës së Parë Botërore.

”Mund të konfirmoj se vizita është shtyrë. Amerikanët kanë paraqitur arsye bindëse për shkak të axhendës’’, sqaroi një zëdhënës i qeverisë irlandeze në një komunikatë të shkurtër. Kryeministri irlandez, Leo Varadkar e ftoi në muajin mars për vizitë presidentin amerikan.

”Presidenti do të jetë i pranishëm në Paris në muajin nëntor, siç është njoftuar më parë. Jemi ende duke marrë në konsideratën faktin nëse Irlanda do të jetë gjithashtu një ndalesë gjatë këtij udhëtimi’’, deklaroi sot Sanders./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.