Promovohet libri “Demokracia nuk pret” i Frank Shkrelit

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ U promovua sot në Tiranë libri publicistik i personalitetit dhe gazetarit të shquar shqiptaro-amerikan, ish-Drejtorit të “Zërit të Amerikës” për Euro-Azinë, Frank Shkreli, i titulluar “Demokracia nuk pret”.

I pranishëm në këtë ceremoni, Presidenti Meta tha se “ndihemi krenarë për personalitete të tilla dhe jemi mirënjohës për kontributet atë që kanë dhënë për kombin në detyrat që kanë pasur”.

Karriera e Shkrelit është vërtet një histori suksesi e një shqiptari, tha Presidenti duke vlerësuar faktin se “falë sakrificave të tij dhe të familjes, ai arriti të edukohet e të ngrihet në nivelet më të larta të administratës amerikane dhe jo vetëm kaq, por edhe të investojë përmes atyre pozitave në interesin kombëtar të vendit të tij të origjinës edhe të kombit të tij”.

“Për kontributin e tij të spikatur sa i takon forcimit të identitetit kombëtar, denoncimit të izolimit komunist në Shqipëri, denoncimit të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, të sensibilizimit për çështjen e Kosovës, për ruajtjen dhe kultivimin e harmonisë ndër-fetare në Shqipëri, një çështje mjaft e rëndësishme jetike dhe ekzistenciale për kombin tonë, ai është bërë mjaft i njohur dhe i vlerësuar nga të gjithë ne”, shtoi Meta.

Në këto kohë të globalizimit, tha Kreu i Shtetit, “ajo që ne nuk duhet të harrojmë si një vend e si një komb modest, për t’iu shpëtuar të gjitha rreziqeve që na kanosen, është të forcojmë identitetin kombëtar”.

Libri “Demokracia nuk pret”, sipas Metës, është një vepër e mrekullueshme, sepse demokracinë nuk ta dhuron askush dhe demokracinë duhet ta fitosh dhe mund ta fitosh çdo ditë e më shumë, por edhe mund ta humbasësh çdo ditë e më shumë.

Në këtë drejtim, Meta vlerësoi se “vepra e Shkrelit është edhe një shkundje për të gjithë, për rëndësinë që ka demokracia”.

“Ajo nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë. Demokracia duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duhet zhvilluar sipas standardeve më të avancuara dhe siç e meriton një komb si i yni, që ka vuajtur shumë nga mungesa e saj”, tha ai. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.