Nikolla në Lezhë: Garantim i sigurisë ushqimore në bizneset pranë shkollave

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ – Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, theksoi sot nga Lezha se “do të garantojmë sigurinë ushqimore në të gjithë gamën e asortimenteve, që bizneset rreth shkollave ofrojnë për nxënësit”.

Gjatë inspektimit në një shkollë të qytetit të Lezhës,e shoqëruar nga zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi, ministrja Nikolla theksoi se “shkolla po fillon dhe padyshim gjithë vëmendja jonë është tek nxënësit, mësuesit edhe në një aspekt tjetër, që lidhet me sigurinë ushqimore, ndaj në cilësinë e Ministres do të doja të falënderoja autoritetet, Agjencinë Kombëtare të Ushqimit dhe Ministrinë e Bujqësisë, të cilët në këto ditë po përfundojnë inspektimin e parë të gjithë standardeve për sigurinë ushqimore të bizneseve, që operojnë rrotull shkollave”.

Ministrja Nikolla u shpreh se “sigurisht është një moment i parë do të jetë një vëmendje e posaçme edhe në ditët në vijim, edhe pasi fillon shkolla në mënyrë që të garantojmë sigurinë ushqimore në të gjithë gamën e asortimenteve që këto biznese ofrojnë për nxënësit dhe jo vetëm.

Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi, në fjalën e saj tha se “AKU është drejt finalizimit të planit të inspektimeve që do të kryejnë të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në të gjithë zonën që është rreth e qark të gjithë shkollave, duke pasur në qendër të vëmendjes dhe në fokus të saj të gjithë nxënësit, studentët dhe duke dashur të garantojë sigurinë ushqimore në të gjithë këta operatorë për përmbushjen e kushteve higjieno-sanitare”.

“Ky është një operacion që pritet të përfundojë në fund të tetorit. Është i dyti në radhë dhe do të jetë në vijimësi gjatë vitit 2018-2019”, – theksoi Gjeçi.

Inspektimet në terren u kryen në disa subjekte pranë shkollave “Besëlidhja”, “Gjergj Kastrioti” dhe “Hydajet Lezha”, të cilat ofrojnë produkte të cilat konsumohen nga fëmijët gjatë orëve të pushimit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka nisur nga dita e sotme, monitorimin në të gjitha pikat e fast-food-eve pranë institucioneve arsimore në të gjithë vendin (çerdhe, kopshte shkolla), për të garantuar sigurinë ushqimore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje konsumatorëve shqiptarë që, për çdo shqetësim në lidhje me sigurinë ushqimore të denoncojnë pranë portalit online “Inspektori Dixhital”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.