Mbahet takimi i parë i Grupit të Koordinatorëve për Zbatimin e Planit të Strategjisë për Diasporën

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ – Sot u mbajt takimi i parë i Grupit të Koordinatorëve për Zbatimin e Planit të Strategjisë për Diasporën (2018-2024) në ambientet e Kryeministrisë.

Koordinatorët, të drejtuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën, janë përgjegjës për bashkërendimin e punës me zbatimin e masave të Planit të Veprimit në institucionet përkatës.

Grupi i Koordinatorëve përfaqësohet nga zëvendësministrat e ministrive përkatëse si edhe nga dy ekspertë të fushës në nivel ekzekutiv.

Ministri Majko u prezantoi anëtarëve të Grupit të Koordinatorëve planin e punës si edhe detyrat përkatëse dhe theksoi se progresi mbi ecurinë e masave të Planit të Strategjisë do të reflektohet përmes hartimit të një buletini çdo tre muaj.

Takimi i radhës do të zhvillohet lidhur me organizimin e Samitit të Diasporës.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.