Kompanitë turke të inkurajuara pozitivisht nga mbështetja e Shqipërisë

190

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ – Shqipëria dhe Turqia synojnë të forcojnë marrëdhëniet tregtare mes tyre, u theksua gjatë një vizite nga ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë, Sonila Qato dhe Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në ambientet e një kompanie me kapital turk për shitjen dhe shpërndarjen e produkteve me cilësi të lartë me një gamë të gjerë markash në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e saj gjatë vizitës ministrja Qato tha se marrëveshja e tregtisë së lirë ka qenë një hap i parë mes dy vendeve për të forcuar sa më shumë marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë.

“Është në interesin e përbashkët të dy qeverive që të mund të shtojmë sa më shumë sipërmarrjet bashkëpunuese të dy vendeve dhe tregtinë. Ne si zyrë do të marrim një informacion në raport me aplikimin e marrëveshjes deri më tani dhe mbarëvajtjen e kësaj marrëveshjeje. Mund të bëhemi dhe iniciator për një nivel më teknik, për t’u ulur së bashku për të biseduar se kush janë ato produkte me vlerë për ekonominë dhe shkëmbimin ekonomik mes dy vendeve”, deklaroi Qato.

Ndërsa Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij falënderoi ministren Qato për ndihmën që u jep kompanive turke që operojnë në Shqipëri.

“Që nga momenti kur kam ardhur dhe jam takuar me ministren, kam marrë mbështetjen e saj për t’iu ardhur në ndihmë kompanive turke dhe që janë pjesë e një çatie siç është ATTSO (Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi). Jemi të sigurtë që kjo tregon dhe afrimitetin e qeverisë mike dhe vëllazërore shqiptare me kompanitë dhe institucionet turke që operojnë në Shqipëri. Dëshiroj të theksoj që jo vetëm kompanitë të cilat aktualisht operojnë në Shqipëri, por dhe kompani të tjera turke me potencial për të investuar në Shqipëri janë më se të motivuar pozitivisht dhe inkurajuara nga kjo mbështetje dhe interesim të afërt e Qeverisë së Shqipërisë”, tha Yörük.

Duke folur për marrëveshjen e tregtisë së lirë mes dy vendeve, ambasadori Yörük tha: “Ne kërkojmë riaktivizimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Me nisjen e negociatave të marrëveshjes së tregtisë së lirë me përfshirjen e produkteve bujqësore dhe shërbimeve në këtë marrëveshje ne besojmë shumë se do të mund të ofrojmë një klimë për dobinë e të dyja palëve”.

Të pranishëm në këtë vizitë ishin edhe atasheu tregtar i Turqisë në Tiranë, Halis Kaya dhe sekretarja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), Erinda Zhupani./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.