Klosi: Synimi, libra falas deri në klasën e nëntë

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Duke shpërndarë librat shkollorë falas për nxënësit e klasave I deri në të IV të shkollës në Syzes, ministri Klosi theksoi se qëllimi i qeverisë është që deri në fund të mandatit nxënësit të përfitojnë libra falas deri në klasën e 9-të.

Në shkollën e Njësisë Administrative Syzes do të ulen këtë vit 433 nxënës nga disa fshatra, të cilët për herë të parë do të kenë jo vetëm libra falas deri në klasën e 4-t, por edhe kushte shumë më të mira për të mësuar në shkollë, falë rikonstruksionit dhe palestrës së re.

“Në kuadër të nismës për furnizimin me libra falas nga klasa e parë deri në klasë të katërt të kësaj shkolle, shpërndarja e librave është një ndër prioritetet dhe po ashtu ndahen librat falas për të gjithë këtë vit shkollor”, tha Klosi. Sipas tij, kjo zonë realisht është një nga ato zona, e cila dëshmon se reformat e ndërmarra, si dhe kontributi i vetë komunitetit bëjnë ndryshimin.

“Shpërndarja e librave falas është një mënyrë shumë e mirë për t’i dëshmuar këtij komuniteti efikasitetin e të ardhurave nga taksat e qytetarëve, nga puna e tyre”, tha Klosi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.