Fushë-Arrëz/ 955 familje në nevojë marrin libra falas

97

TIRANË, 11 shtator /ATSH – I. Vata/ – 955 familje në nevojë në Fushë-Arrëz kanë marrë libra falas për fëmijët e tyre.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut, është ndalur në bashkinë Fushë-Arrëz ku ka shpërndarë libra për fëmiljet në nevojë.

Ministri Bushati u ndal në familjet e Gëzim Bashës dhe Arben Mecit, ku vuri theksin tek iniciativa e qeverisë për të siguruar libra falas për klasat I-IV, ndërsa shtoi se po bëhen të gjitha përpjekjet e nevojshme që kjo nismë të zgjerohet më tej.

Ndërsa Gëzimi, babai i tri vajzave, duke vlerësuar këtë nismë, tha se vitet e shkuara e ka pasur të vështirë t’u sigurojë libra vajzave të tij për shkak të situatës së rënduar ekonomike.

“Në bashkinë Fushë-Arrëz 955 familje përfitojnë nga nisma për libra falas. Në total nga kjo nismë përfitojnë në total 125 mijë fëmijë të klasave 1-4”, thekson Bushati.

Më tej Bushati tha se “ndryshe nga më parë, prindërit nuk do të detyrohen t’i blejnë, për t’u rimbursuar më pas. Të gjithë librat u jepen automatikisht falas fëmijëve. Duke nisur nga viti i ardhshëm, libra falas do të përfitojnë edhe fëmijët e klasave të pesta”.

“Deri në fund të mandatit, qëllimi është që të gjithë librat të përfitohen falas deri në klasën e nëntë, ashtu siç ndodh në Zvicër, Finlandë dhe vetëm pak vende të tjera europiane me mirëqënie shumë të lartë”, tha Ministri./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.