Akademia e Studimeve Albanologjike, pjesë e simpoziumit shkencor të mbajtur në Ohër

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Në datën 6 shtator 2018 prof. as. dr. Evalda Paci mori pjesë në simpoziumin shkencor ndërkombëtar të mbajtur në Ohër në kuadrin e veprimtarive shkencore të përvitshme të A.I.E.S.E.E., me temë “Tradita në komunikim dhe në kulturën shpirtërore të Europës Juglindore”.

Në këtë simpozium shkencor Evalda Paci u paraqit me kumtesën e titulluar “Tekstet e vjetra shqipe, dëshmi e një tradite të veçantë shkrimore dhe letrare”. Në këtë kumtesë u trajtua një panoramë analitike e realizimit të veprave më të rëndësishme të letërsisë së vjetër shqipe, si përfaqësuese modelesh të veçanta tekstore dhe arritjesh në pikëpamje të përmbajtjes dhe brendisë së tyre. Autorja analizoi disa aspekte themelore kryesisht përmbajtësore që gjurmohen në të tilla vepra, duke përmendur gjithashtu dhe disa dokumente fragmentare shkrimore që i prijnë në kohë realizimit të botimeve më të plota në fushë të liturgjisë, katekezës dhe teologjisë në gjuhën shqipe, në periudhën 1555-1743. Tradita shkrimore që pasqyrohet në të tilla vepra dhe rëndësia që secila paraqet në një kontekst të historisë së letërsisë së shkruar shqipe, përbënte objektin qendror të kësaj trajtese. /m.z//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.