Meta tek Avokati i Popullit: Dhuroni gjak dhe shpëtoni tri jetë!

232

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Presidenti Ilir Meta vizitoi sot Institucionin e Avokatit të Popullit, punonjësit e së cilit zhvilluan një seancë dhurimi gjaku, në kuadër të nismës që ka ndërmarrë  “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Në fjalën e tij, kreu i Shtetit, i shoqëruar nga zonja Erinda Ballanca, theksoi fillimisht rëndësinë e Institucionit të Avokatit të Popullit, institucion që mbron të drejtat, liritë dhe interesat e individëve, përfshirë edhe fëmijët e mitur.

“Kënaqësi e veçantë që të jem sot në këtë institucion kaq të rëndësishëm të Avokatit të Popullit, i cili është një institucion kyç i demokracisë, i garantimit të të drejtave të qytetarëve, nga çdo sjellje arbitrare apo cënuese nga administrata publike apo autoritetet shtetërore. Pra është një institucion që është dhe duhet të jetë gjithnjë pranë qytetarëve”, tha Meta.

Ai shtoi se kënaqësia është e dyfishtë, sepse ky institucion organizon sot këtë seancë të dhurimit vullnetar të gjakut për të gjithë qytetarët, të cilët kanë nevojë dhe sigurisht që ky është një moment shumë pozitiv i solidaritetit, i përgjegjshmërisë, i humanizmit.

“Institucioni ynë e përkrahu këtë nismë dhe do të vazhdojë që ta përkrahë në mënyrë të vazhdueshme. Dua të falënderoj të gjithë anëtarët e stafit, të cilët në mënyrë të pakushtëzuar e bënë dhurimin e tyre për të pasur mundësinë që dikush të ketë gjak kur ata realisht të kenë nevojë për një nga ato mallrat që ata nuk mund ta blejnë dhe që gjendet vetëm nëpërmjet humanizmit dhe pozitivizmit.”, tha nga ana e saj, Ballanca.

Presidenti Meta iu referua edhe thënies së Nënë Terezës: thashtu: “Për sa i takon dhurimit të gjakut dua të them se Shën Nënë Tereza ka një thënie të jashtëzakonshme, që u drejtohet të gjithë njerëzve kudo në botë, të cilët duan të bëjnë vepra të mira se ndoshta secili nga ne nuk mund të bëjë dot gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, tha presidenti. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.