Investimet në zonat rurale, bashkia e Tiranës rehabiliton rrugën për në fshatin Dritas

TIRANE, 10 shtator /ATSH/ – Paralelisht me investimet brenda qytetit, fokusi i punës së bashkisë së Tiranës në këto tre vite ka qenë edhe përmirësimi i infrastrukturës dhe i shërbimeve në zonat rurale.

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rehabilitimin e rrugës për në fshatin Dritas në njësinë administrative të Zall-Herrit, duke zgjidhur një problem disavjeçar të këtyre banorëve që ishin të detyruar të kalonin përmes gropave dhe baltës duke e bërë pothuajse të pamundur kalimin në këtë rrugë.

Mjetet e rënda dhe punonjësit po hedhin edhe shtresat e para të asfaltit, duke hapur në këtë mënyrë një perspektivë të re zhvillimi për gjithë këtë zonë.

Kjo rrugë jo vetëm do të lehtësojë lëvizjen e automjeteve, por në të njëjtën kohë do të afrojë edhe më shumë banorët që tregtojnë produktet bujqësore të zonës me tregjet e Tiranës.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale, shoqërohet me rritje dhe diversifikim të prodhimit bujqësor, që në periudhën afatgjatë rrit të ardhurat dhe përmirëson cilësinë e jetës së banorëve të këtyre zonave. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.