BRUKSEL – Weber paralajmëron Orban para votimit për nisjen e procedurave ligjore

BRUKSEL, 10 shtator /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi i partisë dominuese të qendrës së djathtë në Parlamentin Europian, PPE, ka kërcënuar me një masë ndaj Hungarisë, nëse kryeministri i saj, Viktor Orban nuk i përgjigjet shqetësimeve të BE-së mbi mosrespektimin  e vlerave demokratike në vendin e tij.

Komentet vijnë përpara votimit të legjislaturës së BE-së të mërkurën për nisjen e procedurave ligjore kundër Hungarisë.

E ashtuquajtura procedurë e nenit 7, që është aktivizuar kundër Polonisë, do të çonte në heqjen e së drejtës së votës ndaj një vendi të Bashkimit Europian.

Vota e Partisë Popullore Europiane (EPP), e qendrës së djathtë, në të cilën bën pjesë dhe partia Fidesz, e drejtuar nga Orban, do të jetë vendimtare për arritjen e shumicës së kërkuar prej dy të tretave për të mbështetur këtë mocion.

Drejtuesi i PPE-së Manfred Weber, i cili javën e kaluar njoftoi se kërkonte të kandidonte për postin e presidentit të Komisionit Europian në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në BE, tha se ”demokracia, shteti i së drejtës dhe liria e mendimit janë vlerat thelbësore të PPE-së dhe gjithashtu të Bashkimit Europian”.

“Kjo është arsyeja pse pres që kryeministri hungarez të afrohet me partnerët e BE-së dhe të tregojë gatishmërinë për kompromis”, tha Weber në një intervistë për gazetën gjermane ”Bild”.

“Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne në PPE duhet të themi se vlerat tona  janë të panegociueshme për ne. Qeveria hungareze është aktualisht në një rrugë që përbën arsye për t’u shqetësuar”, tha ligjvënësi gjerman i BE.

Legjislatura e BE-së pritet të votojë të mërkurën një raport me nota kritike ndaj Hungarisë, duke e identifikuar si një “kërcënim sistematik ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore”.

Nesër pritet që Orban të marrë pjesë në debatin parlamentar mbi këtë raport./ /sm/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.