Librat falas, Nikolla: Brenda këtij mandati përmbushim gjithë arsimin e detyruar

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ – “Me implementimin e kurrikulës së re, në vitin e ardhshëm shkollor do të plotësohet me tekste falas edhe klasa e pestë. Ambicia jonë është që brenda këtij mandati të përmbushim gjithë arsimin e detyruar me tekste falas”.

Kështu deklaroi ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, në një intervistë, mbi procesin e shpërndarjes së librave falas për 190 mijë nxënës dhe mbi angazhimin për të garantuar arsim cilësor e gjithëpërfshirës.

“Jemi fiks në momentin e duhur dhe me mundësitë që kemi për të bërë atë që realisht po bëjmë, tekstet falas për fëmijët nga klasa e I në të IV dhe për gjithë kategoritë e tjera në nevojë”, theksoi Nikolla, duke shtuar se pas ardhjes së qeverisë Rama këto kategori janë  rritur me 8 tipologji të tjera përfituesish.

“Këtë vit janë 190 mijë nxënës, pra 2/3 e nxënësve në të gjithë sistemin tonë arsimor që përfitojnë tekste falas, por duhet të themi që vijnë në këtë moment, që për të ardhur në këto tekste na u desh të përdornim një kurrikul të re të standardeve europiane shumë të lehtësuar”, tha Nikolla.

Sipas saj, nuk mund të investonim në tekste që mësuesit i refuzonin, në tekste që kishin probleme ku ekspertiza ndërkombëtare thoshte se janë tmerrësisht të ngarkuara.

/k.s//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.