BSH: Rritja e konsumit është mbështetur nga zgjerimi i punësimit

125
TIRANË, 9 shtator /ATSH/- Rritja e konsumit është mbështetur nga zgjerimi gradual i punësimit, të ardhurave nga puna, përmirësimi i besimit, rritja e kredisë për konsum si dhe nga kushtet e lehtësuara financiare.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma e rritjes vjetore të konsumit privat shënoi 3%, duke dhënë një kontribut 62% në formimin e kërkesës së brendshme. Kjo normë mbetet më e lartë se rritja mesatare 2.7% e vitit 2017.
Duke filluar nga tremujori i katërt i vitit 2016, konsumi privat ka shënuar një prirje të lehtë por të qëndrueshme rritjeje.
Tregues të tërthortë të disponuar për tremujorin e dytë të vitit sugjerojnë për vijim
të rritjes së konsumit privat.
Treguesit nga vrojtimet evidentojnë në përgjithësi ciklin e qëndrueshëm rritës të konsumit. Besimi konsumator dhe treguesi i besimit për sektorin e tregtisë kanë qëndruar në nivele mbi mesataren e vet afatgjatë gjatë dy viteve të fundit.
Të dhëna të tjera sasiore që tregojnë për rritje të konsumit privat në tremujorin e dytë janë rritja e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe rritja e importit të mallrave ushqimore. Rritja e punësimit dhe të ardhurave nga puna pritet të mbështesin shpenzimet konsumatore. Ato mbështeten edhe nga kredia konsumatore, e cila ka vijuar rritjen në
tremujorin e dytë të vitit, citon raporti i publikuar së fundi nga BSH-ja. e.xh//e.caushi/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.