Vuçiç viziton veriun e Kosovës: Koha të bisedojmë me respekt me shqiptarët

PRISHTINË, 8 shtator /ATSH/ Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vizitoi sot veriun e Kosovws, ku u ndal nw Ujman, ku deklaroi “se duhet të shikojmë kah e ardhmja dhe se kufijtë do të bëhen më pak të rëndësishme nëse bëhemi pjesë e Evropës”, ndërkohë bëri me dije se vendi i tij nuk do të pranojë shtetin e Kosovës.

Duke sjellë në vëmendje se Serbia ka investuar qindra 127 milionë dinarë në Ujman, ai tha se ka ardhur për vizitë në Kosovë me idenë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, në mënyrë që në të ardhmen të bëhet diçka e mirë për shqiptarët dhe serbët.

“Hidrocentrali i Ujmanit, i ndërtuar më 1981, është me rëndësi të madhe edhe për serbët, edhe për shqiptarët, dhe mendoj se në Ujman shihet në mënyrën më të mirë pesha e problemeve rreth Ujmanit dhe lufta e vështirë politike, për të cilën shpresoj se në të ardhmen një herë do të arrijmë t’i tejkalojmë ne dhe shqiptarët dhe të arrijmë marrëveshje në 100 vjetët e ardhshme, në mënyrë që ata të jenë të kënaqur me ujin. Kjo për ne është rëndësishme, pa Ujman ka mbijetesë të njerëzve në Ibër-Kolashin, Zubin Potok”, ka thënë ai.

“Ndihem bukur këtu… por për ne është me rëndësi që përmes porosisë së paqes drejtuar shqiptarëve, pasi me shqiptarët deri më tash kemi provuar të gjitha, dhe është koha të bisedojmë me më tepër respekt dhe nëse do të tregojmë respekt do të arrijmë miqësi, kjo do të ishte shkëlqyeshëm, por këtë do të nevojitet kohë”, tha Vuçiç.

Duke folur rreth deklaratave të kancelares gjermane Angela Merkel rreth mos ndryshimit të kufijve, Vuçiç u shpreh se kësaj më së shumti i gëzohen kundërshtarët e tij në Serbi.

“Deklarata e Angela Merkel, e cila ka përsëritur qëndrimin e saj për integritetin territorial… nuk mendoj se këtu ka diçka të re dhe tash e di se shumica janë gëzuar, sidomos në Serbinë qendrore, kundërshtarët e mi politikë dhe të tjerët që nuk kuptojnë kur të angazhohen për një ide të tillë dhe kur janë kundër asaj që unë jam shprehur, se në fakt angazhohen për shtetin e plotë të pavarur të Kosovës… Fuqia ime është shumë minimale me atë të Merkel për t’u krahasuar  me lideren më të madhe në Evropë, dhe nëse ajo thotë këtë, sigurisht nuk mund ta ndryshojmë. Ky është gëzim për Serbinë dhe të tjerët në rajon, por kjo nuk do të thotë se nuk mund t’i ndihmojmë popullit tonë dhe nuk do të thotë se nuk ekziston një pyetje dhe flasim për integritetin territorial 2008, apo 2018?”, tha ai.

Duke folur rreth mos takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së, Vuçiç tha se këtë nuk e ka bërë me qëllim të nënçmojë presidentin Thaçi.

“Nuk e kam nënçmuar Hashim Thaçin dhe kjo nuk është e vërtetë dhe nuk do të krenohesha me këtë. Nuk kam shkuar në bisedime për ta nënçmuar askënd. Këtë nuk e kam pasur ndërmend dhe as qëllim. .. Këtë nuk e ka bërë as zoti Thaçi, por këtë e kanë bërë të tjerët, të cilët veten e kanë nënçmuar duke përmendur vajzat e dikujt tjetër, por kjo është puna e tyre… Puna jonë është të zgjidhim problemet”, u shpreh ai.

Vuçiç ka pranuar se do të jetë shumë vështirë për të arritur çfarëdo marrëveshjeje me Kosovën, duke pasur parasysh se edhe fuqia më e madhe e Bashkimit evropian-Gjermania, është kundër ndryshimit  të kufijve dhe se “është e qartë se Serbia nuk mund të pranojë shtetin e imponuar të Kosovës”.

“Kështu që duket se këto gjëra do të zgjasin edhe për një kohë të gjatë, por detyra jonë para se gjithash, është të ruajmë paqen dhe të tentojmë të afrohemi drejt gjetjes së ndonjë zgjidhjeje, edhe pse mendoj se ky është proces pa kthim, të cilën nuk do të mund ta përfundojë as kjo gjeneratë e politikanëve, e as tjetra dhe gjenerata e tretë mund ta përfundojë. Me rëndësi është që të shikojmë në të ardhmen, pasi mendoj se kufijtë do të jenë më pak të  rëndësishëm kur të bëhemi pjesë e Evropës”, është shprehur Vuçiç.

I pyetur nëse në Kosovë ka ardhur me leje të ndërkombëtarëve me kushte që të mos bëjë deklarata provokuese, Vuçiç mohoi një gjë të tillë.

“Jo. Isha dje në Bruksel, ua bëra të ditur vendimin tim njerëzve nga BE-ja. Me askënd nga SHBA nuk kam qenë në kontakt. Më kanë dërguar porosi, por unë porosive nuk iu përgjigjem. Nuk më pëlqen t’iu përgjigjem porosive. Unë dje i thashë Federica Mogherinit se nesër ti e di se do të shkoj në Kosovë dhe do të jem në Ujman”, ka thënë Vuçiq. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.