Rikonstruktohet gjimnazi “Andon Zako Çajupi”, jo më mësim me dy turne

TIRANË, 8 shtator /ATSH / Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj  inspektoi punimet për rikonstruksionin e shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi”.  Në fjalën e tij, Veliaj tha se “Shkolla “Çajupi” është një nga shkollat me investimet më të mëdha të Bashkisë së Tiranës. Është një investim i arritur falë miradministrimit të fondeve të bashkisë, pasi nuk ishte në radhë për këtë vit, por për vitin tjetër. Pikërisht se arritëm të mblidhnim të ardhura, falë edhe miradministrimit, në shkollën “Çajupi” po bëjmë investimin më të madh që ka parë shkolla që nga ndërtimi i saj”, tha Veliaj,  teksa theksoi se falë kësaj ndërhyrje, një tjetër shkollë në kryeqytet shpëton nga mësimi me dy turne. Shkolla është ndërtuar nga e para, i kemi shtuar disa pjesë, të cilat na kanë dhënë 9 klasa të reja, duke mënjanuar sot e mot klasat me dy turne. I kemi shtuar një palestër të re dhe sigurisht, edhe terrenet sportive dhe laboratorët. Ndaj, më vjen mirë që edhe një tjetër shkollë shpëton nga makthi, stresi dhe ngarkesa e klasave me dy turne, madje ka edhe hapësirë që të akomodojë rritjen demografike të zonës në të ardhmen”, nënvizoi ai.

Ndërtimi i shkollave të reja dhe krijimi i hapësirave të reja në shkollat ekzistuese ka krijuar mundësi për uljen e numrit të nxënësve nëpër klasa. Për të mos pasur mbipopullim të klasave.

Kryebashkiaku  iu drejtua me një apel edhe prindërve, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre që të regjistrojnë fëmijët në shkollën më të afërt. “Thirrja për të gjithë prindërit është: “mos i stresoni drejtoreshat”, mos fusni mik, nuk ka fare nevojë për gjëra të tilla. Ka nevojë që secili të ketë një shkollë që e ka pranë shtëpisë, dhe që mundësisht mund të shkojë në këmbë, pa na e shtuar trafikun, me biçikletë ose me transport publik.

Bashkia e Tiranës vazhdon të jetë lider në bursat për nxënësit ekselentë. Qëllimi final është të kemi vajza dhe djem të shkëlqyer për Tiranën, gjë që mund ta arrijmë nëse edhe prindërit bashkëpunojnë që t’i lehtësojmë shkollat nga kjo trysni”, tha Veliaj. Kryebashkiaku theksoi se nuk ka asnjë arsye që prindërit dhe nxënësit të kërkojnë të regjistrohen vetëm në ato shkolla që në të shkuarën kanë patur më shumë reputacion se të tjerat, pasi sot të gjitha shkollat ofrojnë standarde mësimdhënie dhe kushte shumë të mira. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.