Vllaznia nis rrugëtimin drejt superiores

TIRANË, 7 Shtator/ATSH-A.Fortuzi/-  Vllaznia do ta nisë të shtunën rrugën drejt ritkthimit në superiore. Sfida e parë do të luhet në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi” dhe përballë kuqebluve do të jetë skuadra e Korabit.

Trajneri Hasan Lika ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka theksuar se lojtarët duhet të respektojnë fanellën e një prej klubeve më te me histori në vendin tonë, djep të sportit dhe futbollit.

“Skuadra është gati për të nisur kampionatin. Me kohën që kemi patur në dispozicion kemi bërë më të mirën. Jam i kënaqur me mënyrën si shkuan gjërat, por edhe me lojtarët e ardhur. Besoj se Vllaznia ka për të qenë kompetitive dhe do të nisë ashtu si duhet rrugëtimin e saj drejt rikthimit në Superiore. Jemi në përmirësim të vazhdueshëm dhe në janar mund të ndërhyjmë përsëri.

Jemi Vllaznia, por kampionati është i fortë dhe duhet të impenjohemi për të arritur suksesin. Çdo ndeshje do ta  luajmë për fitore. E kemi marrë shumë seriozisht startin e kampionatit dhe dëshirojmë ta nisim me një fitore ndaj Korabit. Kuptohet që ndaj çdo kundërshtari do të jetë e vështirë, sepse cilido synon fitoren, aq më tepër ndaj një emri të madh si Vllaznia. Personalisht kam besim te skuadra, por shpresoj edhe te mbështetja e tifozëve. Të gjitha palët të bashkuar do t’ia dalim me sukses për ta nisur mbarë kampionatin”, tha Lika. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.