Transformim i marrëdhënieve të qeverisë me biznesin

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ – “Kemi bërë shumë për transformimin e marrëdhënieve me biznesin, por ne nuk mund të pajtohemi me faktin që ne jemi në qeveri dhe ka akoma inspektorë tatimesh apo doganash që vazhdojnë të bëjnë të njëtën gjë. S’mund të pajtohemi me këtë gjë”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Duke folur në Asamblenë Kombëtare të PS, Rama tha se, sot kemi mundësinë të bëjmë vepra të mëdha në infrastrukturë që nuk i bënim dot, sepse na u desh të lanim gjithë ato borxhe. Por, ka shumë arsye pse zgjaten veprat që nuk u bënë. Duhet ta zgjidhim bypass-in e Fierit dhe atë të Vlorës përfundimisht. Duhet ta mbyllim rrugën Tiranë-Elbasan përfundimisht”.

“Duhet të kemi një supervizion dhe projekte me kontrata të siguruara që të mos vijojë puna me buxhete që shkuan duke financuar rrugë të tenderuara gabim”, – tha Kryeministri.

“Bëmë një hap shumë të mirë. Iu thamë fermerëve që aplikoni me zero dokumenta, por fermerët sot nuk kanë marrë asnjë lek. Kush ka përgjegjësi për këtë?” – theksoi Rama.

“Duhet që drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë të shkojnë në fshat dhe të ndihmojnë fermerët. Ashtu sikundër kryetarët e bashkive, çfarë do t’u thonë atyre në fshat? Do i thonë që kemi bërë rrugë, po pastaj? Sa projekte keni bërë me ata për agroturizmin? Janë të gjithë gjëra të bëshme dhe reforma territoriale nuk është thjesht një reformë që bashkia e qytetit të çojnë rrugën dhe ujin në fshat, por të merret me tregun e fshatit, me eksportet. Zero. Çfarë t’i themi?” – tha Rama.

“Duhet të punojmë për gjërat që mund të bëhen dhe për gjërat që s’mund të bëhen duhet t’i shpjegojmë pse s’mund të bëhen”, – tha Rama.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.