Siguria ushqimore, AKU mbyll lokalin e dasmave në Fushë-Krujë

TIRANE, 7 shtator /ATSH/ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në vazhdën e punës për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të produkteve shtazore në funksion të sigurisë ushqimore, ka evidentuar një subjekt me aktivitet “Restorant dasmash” jashtë kushteve higjieno-sanitare dhe në mungesë të gjurmueshmërisë së produktit mish.

Trupa inspektuese e DRAKU Durrës ka kryer inspektim në subjektin Xhavit Babaj, në Fushë-Krujë, ku konstatoi se 131 kg mish viçi tregtohej pa vulë dhe certifikatë veterinare.

Për shkeljet e mësipërme ndaj subjektit u mor masë administrative bllokim i menjëhershëm i aktivitetit, bllokim i 131 kg mish me destinacion asgjësimin, gjithashtu masë administrative me gjobë në vlerën 600.000 lekë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje sërish konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produkteve shtazore, duke kërkuar informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me certifikatë veterinare, kuponin tatimor, si mjet për sigurinë e gjurmueshmërisë së produktit.

Gjithashtu, inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”.

Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

/e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.