SHKUP – Kurz: Maqedonia në kthesë historike, mbështetje për referendumin

SHKUP, 7 shtator /ATSH-MIA/ – Maqedonia është në kthesë historike në rrugën drejt BE-së dhe vendimi në referendumin për emrin ka mbështetjen tonë të plotë, deklaroi kancelari austriak, Sebastian Kurz, i cili sot po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shkup.

Gjatë vizitës së fundit të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev në Vjenë, Kurz, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që në referendum të votojnë për pranimin e Marrëveshjes me Greqinë, që do ta hapë rrugën drejt unionit dhe NATO-s.

“Marrëveshja rreth emrit të shtetit me Greqinë është përparim vendimtar në procesin e afrimit të Maqedonisë drejt BE-së”, theksoi Kurz.

Në prag të referendumit të 30 shtatorit, dje në Maqedoni ishte edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jean Asselborn, ndërkaq nesër, në Ditën e Pavarësisë, shkon kancelarja gjermane, Angela Merkel./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.