Rama përjashton live deputetin e Kurbinit, shantazhoi për vende pune

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1027676770740079/?t=4

TIRANË, 7 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama propozoi sot përjashtimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, të deputetit të Kurbinit, Gjetan Gjetani.

Në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “deputeti i Kurbinit nuk ka bërë asnjë punë tjetër, përveçse ka shantazhuar dhe ka bërë presion mbi këdo për të marrë vende pune”.

“Ai që bënte presione për të emëruar shefa komisariatesh, tani bën deklaratë kundër Policisë së Shtetit. Ai nuk duhet të jetë më deputet i PS-së. Ky duhet të jetë mësim për të gjithë deputetët që të ndajnë njëherë e mirë historinë nga futja e hundëve në çështjet e administratës, në ndërtimin e shtetit serioz”, – tha Rama.

“Nëse pushteti ynë duhet të rrijë në këmbë bazuar në numra dhe për këto numra duhet të gëlltisim deklarata si e djeshmja, mallkuar qoftë pushteti ynë dhe në djall vaftë pushteti! Ne jemi këtu për ata që na kanë sjellë këtu”, – tha Rama.

Faturat e hajdutëve që janë futur në hipoteka me mbështetje politike, sipas Ramës, nuk i marrin ata që ndërhyjnë, por i merr PS.

“Të jesh deputet i PS-së është nderi më i madh që mund të bëhet. Nuk ka vend në grupin e PS-së për njerëz të tillë, pasi ne nuk jemi këtu si një histori numrash, por një histori për Shqipërinë që duam”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.