Malësia e Madhe, bashkia me performancën më të mirë

110

TIRANË, 7 shtator/ATSH-Maela Marini/ Malësia e Madhe rezulton si bashkia me performancën më të mirë në shërbime për vitin 2017, e pasuar nga bashkia e Tiranës.

Ilir Beqja, kryetari i grupit për analizën e punës së çdo bashkie, prezantoi sot para Asamblesë Kombëtare të PS-së raportin “Mbi performancën e përfaqësuesve të PS-së në qeverisjen vendore”.

Ai bëri të ditur se kjo analizë bazohet vetëm në të dhënat e raportuara nga vetë bashkitë, mbi investimet e kryera, shpenzimet në arsim, në rrugë bashkiake e rurale, ecuria e mbledhjes së të ardhurave dhe tarifave vendore etj.

Sipas Beqës, “reforma e viti 2015, nuk ka qenë vetëm një reformë territoriale administrative, sepse solli risi edhe në legjislacionin e financave vendore”.

“Kjo reformë rezulton e suksesshme bashkë me sfidat që kemi përpara. Falë kësaj reforme Belshi, Divjaka, Këlcyra, sot nuk janë thjesht pozicione gjeografike, por janë realitete të jetës sociale dhe ekonomike”, – tha Beqja.

Duke renditur disa nga treguesit e analizuar, ai u ndal te mbledhja e të ardhurave nga bashkitë, ku nga 9.7 miliardë lekë të ardhura të mbledhura në vitin 2015, arritën të mblidhen 18.7 miliardë lekë në 2017.

Sipas tij, në vitin 2015 bashkitë përdorën vetëm 25 % të të ardhurave për investime, ndërsa në vitin 2017 investuan 28 % të të ardhurave dhe këtu kryeson Durrësi, Malësia e Madhe dhe Belshi.

Lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm, Beqja tha se në vitin 2015 kishte 9.7 orë me ujë në ditë dhe në 2017 furnizimi arriti në 11.7 orë në ditë.

“Furnizim të mirë me ujë kanë Himara, Konispoli dhe Malësia e Madhe, ndërsa vlen të veçohet Puka, që ka arritur nga 14 orë në 24 orë furnizim me ujë. Megjithatë vlen të theksohet se Korça, Tepelena dhe Librazhdi, ishin me 24 orë furnizim me ujë të pijshëm”, – tha Beqja. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.