15 telefonat me më shumë rrezatim

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Agjencia Gjermane “Statista” publikoi listën me 15 modelet e telefonave që lëshojnë më shumë rrezatim gjatë kohës që një përdorues kryen një telefonatë. Ajo ka nxjerrë një bazë të dhënash të plota, ku përfshihen të gjitha llojet e smartphone-ve, nga më të vjetrit deri tek më modernët, shoqëruar me nivelin e rrezatimit që transmetojnë.

Telefoni inteligjent me nivelin më të lartë të rrezatimit është Mi A1 i kompanisë kineze Xiaomi, që kryeson listën, në të cilën 12 nga 15 celularët janë të kompanive si Huawei, ZTE ose OnePlus, të gjitha me seli në vendin aziatik.

Megjithatë, të tjerë telefona të kategorisë së parë si iPhone 7, ose iPhone 8, të dy të Apple apo Sony Xperia XZ1 Compact, gjithashtu përfshihen në listën negative.

Sipas portalit gjerman edhe pse nuk ekziston një direktivë universale për nivelin e sigurt të rrezatimit, Blauer Engel, certifikimi gjerman për produktet dhe shërbimet që respektojnë mjedisin, miraton vetëm ato pajisje norma e përthithjes specifike të të cilëve është më pak se 0.60 wat për kilogram, një kërkesë që nuk i plotëson asnjë nga ato telefona që janë në listë. /m.z/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.