Zgjidhet ngërçi në KLGJ, Gjykata e Lartë publikon emrat e kandidatëve

102

TIRANË, 6 shtator /ATSH/ Në mbështetje të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” Gjykata e Lartë pas publikimit, më datë 22.08.2018 të “Rishpalljes së thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit nga gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ)”, si dhe pas përfundimit të afatit 15-ditor, më datë 06.09.2018, rezulton se kanë paraqitur interes për të kandiduar për në KLGJ, gjyqtarët e mëposhtëm: 1. Brikena Ukperaj – Gjykata e Apelit Vlorë 2. Luan Dervishi – Gjykata e Apelit Shkodër.

Brikena Ukperaj ka përfunduar fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006. Prej vitit 2016 është gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë.

Luan Dervishi ka përfunduar fakultetin e Drejtësisë në vitin 1985. Prej vitit 2007 është gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër.

Bazuar në Nenin 11 të ligjit të sipërpërmendur, Gjykata e Lartë do të vijojë menjëherë me procedurën për verifikimin e plotësimit të kushteve nga kandidatët, sipas përcaktimeve të nenit 7, pikat 2 dhe 4, të këtij ligji dhe më pas kjo gjykatë do të shpallë zyrtarisht kandidaturat në faqen zyrtare të saj.

Në bazë të parashikimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët 6 janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, ku 1 është anëtar nga Gjykata e Lartë, 2 nga Gjykatat e Apelit; dhe 3 nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore./m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.