Balla: Librat falas për fëmijët, hap i madh përpara

TIRANË, 6 Shtator /ATSH/ -“Këtë vit, për herë të parë, ne mundëm që arsimi fillor, pra nga klasa e I-IV të mund të marrë librat falas dhe ky është një hap i madh përpara, drejt qëllimit që për një kohë të shkurtër brenda këtij mandati, të gjithë nxënësit t’i përfitojnë librat falas”.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shpërndau libra falas së bashku me deputeten e PS-së, Evis Kushi për fëmijët në Allias

Balla u shpreh se, “ne do kishim dashur që të gjithë nxënësit e arsimit 9 vjeçar sot të kishin në duar paketën e tyre të librave falas, paketën e dijes, si dhurata më e bukur që mund t’i bëhet një fëmije”.

“Bashkë me kolegen time Evis Kushi ishim sot në shtëpinë e Alisias që fillon këtë vit klasën e parë dhe Anisit një nxënës i shkëlqyer në klasën e tretë në shkollën “Qamil Guranjaku” në Elbasan. Ishte e madhe kënaqësia e Alisias, Anisit dhe e prindërve të tij kur ne u dhamë pakon e librave, por ishte më e madhe kënaqësia jonë kur Anisi na premtoi se do të mësojë edhe më shumë dhe do t’i mirëmbajë librat, në mënyrë që dikush tjetër pas tij të gëzojë të njëjtën dhuratë”, theksoi Balla.

“Ilir Leka, babai i Alisias dhe Anisit, punon shumë çdo ditë në një sipërmarrje private që fëmijët e tij të shkollohen dhe të kenë një të ardhme më të mirë përpara, përkushtimi i tyre familjar ka bërë që fëmijët të jenë nxënës të shkëlqyer, ndërsa nga ana jonë mbetet detyra që të krijojmë të gjitha lehtësirat e mundshme që këta fëmijë të rriten të shëndetshëm dhe të edukohen”, tha Balla.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.