Haradinaj: Kosova, adresa e duhur për investitorët e huaj

PRISHTINË, 5 shtator/ATSH/ “Kosova është adresa e duhur për investitorët e huaj”, deklaroi sot Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një takim me përfaqësuesit e kompanisë “Rockaway Capital”, të kryesuar nga Jakub Havrlant.

Qeveria, tha Haradinaj, ka punuar në vazhdimësi që të krijojë kushtet më të mira për investimet direkte.

“Tani me ligjin e ri dhe me progresin e bërë në shumë fusha, është krijuar klimë e mirë për partneritet të suksesshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik me investitorët seriozë”, – tha ai.

Kryeministri Haradinaj përmendi progresin e arritur në Kosovë në fushën ekonomike, në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, duke shtuar se Kosova ofron resurse të shumta njerëzore dhe infrastrukturore për të pranuar investime të huaja, veçanërisht në fushën e teknologjisë, telekomunikacionit, turizmit dhe fusha të tjera.

“Kosova ofron shumë dhe ne si qeveri po punojmë që të krijojmë kushtet sa më të mira për investimet e huaja”, – tha Haradinaj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i “Rockaway Capital”, Jakub Havrlant, shprehu interesimin e kompanisë së tij për të zgjeruar investimet në Kosovë, kjo pas suksesit të arritur deri tani me projektet aktuale. Kosova, tha ai, ofron shumë, veçanërisht në fushën e teknologjisë, turizmit, marketingut dhe telekomunikacionit. /KosovaPress//m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.