Rikualifikimi i qendrës historike të Vlorës, vijon prishja e ndërtimeve pa leje

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Rikualifikimi i zonës urbane pranë qendrës historike të Vlorës, është një vlerë e shtuar për qytetin turistik.

Projekti ka nisur tashmë nga zbatimi dhe aktualisht është në fazën e prishjes së ndërtimeve pa leje në këtë zonë.

Ndërhyrjet do t’i lenë vend rehabilitimit total të kësaj zone, një projekt që pritet ta kthejë në identitet qytetin e bukur bregdetar në jug të vendit, ku ndërthuret në mënyrë të përkryer bukuria turistike me atë historike.

Ky projekt restaurues po zbatohet në zemër të Vlorës, aty ku qyteti ende ruan identitetin, me gjurmë të ndërtimeve të fundshekullit të 19‐të dhe fillimshekullit të 20‐të.

Punimet po realizojnë restaurimin e rrugës “Justin Godar”, ish-pazari, “Lagjja e Hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga, xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit, etj.

Qendra historike e Vlorës ndërthur diversitetin dhe bashkëjetesën e kulturave, feve dhe është pjesë e së përditshmes dhe e historisë.

Qeveria shqiptare synon të zbatojë një nga politikat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, ku diversiteti i vlerave, kulturave dhe feve, bën pjesë në trashëgiminë që duam të ruajmë e të promovojmë. /m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.