PD: Tekstet shkollore nuk janë falas, por me qira

TIRANË, 4 shtator /ATSH- I. Vata/ – Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi e konsideron ndarjen e librave jo falas, por si dhënie me qira.

Deputeti i PD-së Boçi shprehet se Partia Demokratike propozoi ligjin në Kuvend ndërsa mazhoranca e votoi kundër.

“Tekstet falas që nuk janë sot aq falas, por me qira, Rama po i vesh me aq propagandë. Qartë dhe saktë propozimi ligjor për tekste falas, për të gjithë sistemin parauniversitar, u bë nga Partia Demokratike në seancën e dt 1 shkurt 2018″, u shpreh Boçi.

Po ashtu, Boçi shton se “Propozimi ynë nuk ishte as me kthim, as me fshirje me gomë, as me pagesë në rast dëmtimi, por pastër dhe drejt; dhënie tekstesh pa pagesë për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar, siç e kanë vendet me arsim të përparuar në rajon e Europë. Propozimi ynë, me urdhër të Ramës, për turpin e tij dhe atyre që votuan kundër, u hodh poshtë me kartona, siç e jep fotoja dhe u shoqërua me përplasje në sallë”.

“I vënë me shpatulla pas murit nga opinioni publik, Rama u detyrua të bëjë një lëshim, për tekste “në përdorim” për klasat 1 deri në 4. Sot bën sikur harron dhe përpiqet të na shfaqet si bamirës dhe vizionar. Fotoja e momentit të votimit kundër, flet më mirë se mijëra zbukurimet e Ramës për tekstet. Ajo dëshmon se Rama mbetet ai që është: Kryeministri që shkatërron falas, madje me kosto në kurriz të tyre, me krim, pasiguri, me korrupsion, çdo ditë të ardhmen e fëmijëve”, u shpreh Boçi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.